Forcat Speciale RENEA dhe nga Operacionalja në Fier, kanë arrestuar në kushtet e flagrancës, Indrit Hoxhën (Kuçi), pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal në zonën e Fermë-Çlirimit, është evidentuar se ai mbante armë zjarri pistoletë me vete.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre të shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH dhe DVP Fier, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.
27 vjeçari në lokal sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë.
Gjatë këqyrjes së çantës, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj armën e zjarrit pistoletë me dy karikatorë me fishekë luftarakë dhe kartën e identitetit të Indrit Hoxhës.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.



