
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nderoi në 110-vjetorin e krijimit të Policisë Shtetit, me një mesazh të gjithë dëshmorët që ranë në krye të detyrës.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për shërbimin dinjitoz që efektivët kanë bërë dhe po bëjnë për rendin e sigurinë publike, për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve.
Sipas Çuçit, sot është koha që të matemi me të ardhmen dhe të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona për të bërë një kapërcim epokal.
Në këtë ditëlindje të organizatës që u krijua më pak se dy muaj nga themelimi i shtetit shqiptar, përulemi me respekt para të gjithë kontribuuesve të saj ndër vite dhe ndaj dëshmorëve që ranë në krye të detyrës.
Sot Policia e Shtetit është ndër institucionet më të besuara në vend dhe pavarësisht se krahasimet me të shkuarën janë si ‘nata me ditën’, sot është koha që ne të matemi me të ardhmen dhe të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona për të bërë një kapërcim epokal.
Zyrtari solli në vëmendje faktin se falë punës së Policisë së Shtetit, Shqipëria pati 30 për qind më pak vrasje dhe 13.5 për qind më pak aksidente, referuar statistikave institucionale.
Rritja e pagave me 15 për qind, por edhe përfshirja në ndihmën e Pakos së Madhe, përbëjnë një mbështetje të konsiderueshme për zerimin e ndikimit të inflacionit të luftës në familjet e tyre.
Sipas tij, Shqipëria ka sot një polici moderne që qaset si shërbim ndaj qytetarëve dhe vizioni i autoriteteve është të vijojnë transformimin përmes investimeve në teknologji.



