Tre persona janë arrestuar në Shkodër për ushtrim të një aktiviteti të kundërligjshëm në prodhimin e produkteve ushqimore, si dhe për kanosje ndaj dy shtetasve (babë e bir), me qëllim përfitimi pasurie.
Operacioni policor i koduar “Produkti” çoi në prangosjen e shtetasve G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), dhe A. B., 61 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve u zbulua se dy prej tyre prodhonin produkte ushqimore pa miratimet përkatëse dhe në kushte jashtë standardeve higjieno-sanitare.
Aktiviteti u bllokua, ndërsa u sekuestruan etiketa dhe stampa për tetë produkte ushqimore, si dhe tre telefona celularë.
Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur për motive të dobëta dy shtetas (babë e bir), me qëllim përfitimi pasurie.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë bllokimi i aktivitetit, ndërsa materialet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” (kryer në bashkëpunim), “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore”.



