SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 12 persona, pjesë të dy grupeve kriminale të cilët vidhnin mallra luksi në Francë dhe i transportonin pa doganë në Shqipëri për t’i shitur.
Bëhet me dije se grupi i parë, përbëhet nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku, personat e proceduar nga autoritetet franceze të drejtësisë Sokol Briant (alias Brahimi, alias Balili), Dritan Ulqinaku, etj.

Grupi i dytë, përbëhet nga të pandehurit Sokol, Elda, Egi Idrizaj, dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar nga autoritetet franceze, të cilët kanë ushtruar veprimtarinë e paligjshme kriminale nëpërmjet transportimit të shumave monetare të padeklaruara nga Shqipëria-Francë, dhe blerjes së produkteve të luksit nga firmat më prestigjioze po në Francë.
Këto produkte janë transportuar nga të pandehurat Elda dhe Egi Idrizaj, nga të pandehurit Dejvi Skënderaj dhe Bora Idrizaj, si dhe nga kompanitë e transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, të cilat janë futur kontrabandë në Shqipëri.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, të pandehurit Idrizaj, për interesa të aktivitetit të paligjshëm kriminal merrnin shuma të konsiderueshme monetare me përqindje (deri në 10% në muaj), nga persona të cilat nuk ishin të licencuar për të kryer një aktivitet të tillë, e më konkretisht nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda, Vangjush Kashara dhe Tomorr Barruti, të cilët kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”.



