Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, Forcën e Posaçme "Shqiponja" dhe Komisariatin e Policisë Kurbin, kanë finalizuar operacionin e koduar "Hideout".
Si rezultat i këtij operacioni, në flagrancë u arrestuan vëllezërit Arben Frati, 46 vjeç, dhe Levend Frati, 52 vjeç, pasi gjatë kontrolleve në banesat e tyre, në fshatin Skuraj, Kurbin, u gjetën substanca të paligjshme dhe armë pa leje.
Gjatë kontrollit në banesën e Arben Fratit, u sekuestruan 9 kilogramë e 810 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe një armë gjahu pa leje.
Në banesën e Levend Fratit, u gjetën 1 armë zjarri pushkë, 85 kapsolla detonatore, një armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak, gjithashtu pa leje.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal të dy shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.



