Senati i Universitetit të Prishtinës, ka vendosur sot suspendimin e profesorit të Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitet në UP, kjo për arsyeje të sjelljes arrogante e kërcënime ndaj studentëve.
Sipas Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë, vendimi është marrë pas shkeljeve të vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët.
“Senati largon përkohësisht nga puna profesorin Bekim Bejta ku sipas fakteve dhe denoncimeve ai pritet te përjashtohet përfundimisht se shpejti.
Të shqetësuar me gjuhën e profesorit Bejta kanë qenë edhe menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë.
Menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë dhe Këshilli i Profesorëve, që kanë qenë indiferent ndaj shqetësimeve për gjuhen kërcënuese e deri në kanosje fizike te profesorit Bejta ndaj studenteve dhe personelit, tani kanë rastin e fundit për reflektim.
Për këtë do të përkujdesen përfaqësuesit e studentëve në krye me Këshillin Studentor, si garancia më e madhe dhe korrekte”.
Bejta është akuzuar shpesh nga studentët për kërcënim, shantazh e ushtrim të dhunës psikologjike.
Javë më parë në mediat në Kosovë është publikuar një audioincizim në të cilin dëgjohet ai duke ju drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese.



