
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me zbulimin e shtëpisë së barit në Laknas të Tiranës.
Gazetari Besmir Pula, thotë për “MCN live”, se vëllezërit Sh.M, 38 vjeç dhe F. M, 28 vjeç ranë në pranga, ndërsa babai i tyre Z. M., 66 vjeç, u vu nën hetim, pasi dyshohet se kishte dijeni dhe nuk kishte kallëzuar.
Sipas Pules, kanabisi kultivohej në katin e dytë të një shtëpie tre katëshe, ku ishte transformuar një dhomë e veçantë për këtë aktivitet dhe ku bimët e kanabisit kultivoheshin të mbjella në 20 vaso.
Banesa në të cilën kultivohej kanabisi ishte tre katëshe, ku kati i dytë ishte kthyer në shtëpi bari.
Mësohet se pajisjet e kultivimit ishin të teknologjisë së lartë aq sa largonin edhe erën e hashashit, të mos ndihej në zonën përreth.
Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.
Në vijim të hetimeve, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.



