Policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy persona, pasi akuzohen se transportonin emigrantë të paligjshëm.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, kanë finalizuar me sukses operacionin policor "Road Guard 9", si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. L., 19 vjeç dhe L. N., 19 vjeç, banues në Lushnjë.
Arrestimi i tyre u bë pasi u kapën në flagrancë, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, në vendin e quajtur "Kordhocë", duke transportuar me automjetin e tyre tip "Toyota", 4 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi D. B., 20 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



