Një i ri nga fshati Gostivisht i rrethit të Kolonjës është paraqitur me urgjencë në spitalin rajonal të Ersekës dhe ka kërkuar që t’i bëhej një serum me motiv sepse nuk po ndihej mirë. Pasi mjeku në detyrë nuk pranoi të kryente këtë shërbim, të dy janë konfrontuar në një sherr verbal që i ka kushtuar të riut procedimin penal për “kanosje për shkak të detyrës”.
Sipas një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit raporton se 26 – vjeçari me inicialet E.R. është paraqitur në spital ku i ka kërkuar mjekut patolog, 68 – vjeçarit F. L., që t’i bënte një serum pasi nuk po ndihej mirë. Ky i fundit, pasi i komunikoi të riut se të gjitha parametrat e tij ishin në rregull dhe nuk nevojitej përdorimi i serumit, u përball verbalisht me të riun i cili insistonte duke mos kursyer as kanosjen me jetë. 26 - vjeçari e ka akuzuar mjekun për neglizhencë dhe se nuk po kryente detyrën. Në këto kushte insistimi mjeku i ka kërkuar që të shkojë më parë tek mjeku i familjes për të marrë rekomandimin e veçantë për kryerjen e serumit. Kjo kërkesë ka agravuar edhe më shumë gjendjen e trazuar të të riut.
Të gjendur në vështirësi autoritetet e spitalit kanë njoftuar policinë e cila nga ana e saj filloi procedimin penal në gjëndje të lire për 26 – vjeçarin. Ngjarja duket edhe më absurde pasi sipas mjekëve dhe dëshmitarëve i riu nuk rezulton të ishte nën efektin e alkolit apo të narkotikëve gjatë konfrontimit në spital.



