Një operacion i policisë së Korçës i koduar “Restart” ka vënë në pranga dy persona të cilët tentuan të trafikonin drejt Greqisë, 42 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa.
Gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës u vunë në pranga Leonard Hekurani, 41 vjeç, banues në Elbasan dhe Zamir Sino, 65 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me shërbimet e Frontex-it, kanë konstatuar dy të dyshuarit në afërsi të fshatit Dobranj, Devoll dhe ju kanë bërë me shenjë të ndalonin.
Hekurani dhe Sino sapo kanë parë shërbimet e policisë në drejtim të tyre, kanë tentuar të largohen me vrap dhe kanë hedhur në tokë tre çanta të zeza.
Forcat e Policisë Kufitare dhe ato të Frontex-it, janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur kapjen e ndalimin e tyre.
Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të çantave të tyre, u gjet një sasi prej 42 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërkohë që materialet iu referuan organit të akuzës për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.



