Katër persona janë vënë në prangat e policisë së Tiranës pas zbulimit dhe sekuestrimit të 763 celularëve kontrabandë.
Vihen në pranga dy vëllezër që tregtonin aparate celulare të kontrabanduara, në 5 dyqan), të cilat i kishin regjistruar në emër të familjarëve të tyre, për të shmangur detyrimet tatimore.
Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë që administronin 2 prej dyqaneve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të kontrolleve të dedikuara, në subjekte të ndryshme tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomiko-financiare, pas informacioneve të siguruara përmes iteligjencës informative, se dy shtetas tregtonin në dyqanet e tyre, aparate celulare të kontrabanduara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Avoid”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
F. K., 38 vjeç dhe E. K., 33 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë, pronarë të 5 dyqaneve për tregtimin e celularëve;
D. M., 38 vjeç dhe I. B., 25 vjeçe, administratorë të dy prej këtyre dyqaneve, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim administratorët edy2 dyqaneve të tjera, shtetasit F. I., 37 vjeç dhe R. M., 45 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se vëllezërit F. K. dhe E. K., për të shmangur detyrimet tatimore, i kishin regjistruar dyqanet për tregtimin e celularëve, në emër të të afërmve të tyre. Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto dyqane, më rrugët “Hoxha Tahsim”, “Konferenca e Pezës” dhe në “Rrugën e Durrësit”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 763 aparate celulare të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



