Policia e Fierit ka finalizuar tri faza të operacionit të koduar “Siguria” në Fier dhe Lushnjë, duke goditur armëmbajtjen pa leje dhe veprimtaritë kriminale, ku si rezultat u vunë në pranga 4 shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër.
Gjatë kontrolleve në Fier, u arrestua në flagrancë 42-vjeçari S. M., i cili drejtonte mjetin i dehur, posedonte kokainë dhe dy maska silikoni që dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.
Gjithashtu, në po këtë qytet u arrestuan babë e bir, Z. T., 60 vjeç dhe E. T., 25 vjeç, në banesën e të cilëve u gjetën një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion dhe një dorezë metalike.
Ndërkohë, në Lushnjë, pas një hetimi disajavor, u vu në pranga shtetasi M. B., dhe u shpall në kërkim djali i tij 32-vjeçar, L. B., pasi në banesën e tyre u sekuestruan dy kallashnikovë dhe një armë gjahu.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se armët e gjetura në Lushnjë janë përdorur në një ngjarje kriminale të mëparshme, ndaj janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
