
Një konflikt mes disa personave në një lavazh në Bulqizë ka bërë që dy prej tyre të vihen në pranga dhe dy të tjerë të shpallen në kërkim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas informacioneve të marra se në lagjen “Gjeologu”, në ambientet e një lavazhi po konfliktoheshin disa persona, menjëherë kanë organizuar punën dhe janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ku falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasit B. Ç., M. P., Drilon Çoku dhe Silvester Cami, kanë shkuar në ambientet e lavazhit të shtetasit E.T., dhe pas një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta shtetasit E. T., 34 vjeç, dhe D.T., 25vjeç, duke u shkaktuar dëmtime në trup të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” , kryer në bashkëpunim, të shtetasve B. Ç, 26 vjeç; M.P., 27 vjeç, banues në Bulqizë, si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen eshtetasve Drilon Çoku, 29 vjeç; Silvester Cami, 26 vjeç, të cilët pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në vendin e ngjarjes kanë arritur të largohen.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.



