Tre persona janë vënë në prangat e policisë së Tiranës, të akuzuar për tentativën e vrasjes ndaj Mariglen Jatës, tre javë më parë në zonën e Institutit, në Kamzë.
Gjatë operacionit të koduar “Akuza” u zbardh ngjarja e ndodhur më 23 nëntor, duke u vënë në pranga Fatmir Frroku, 36 vjeç, të cilit gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga ana e uniformave blu u arrestuan dhe Izet Leka, 32 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Marsildo Ndoj, 30 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Fatmir Frroku ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin Mariglen Jata, dhe pas krimit është ndihmuar nga shtetasi Izet Leka, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
36-vjeçari u kap pas ndjekjes së automjetit me të cilin ai lëvizte bashkë me shtetasin Marsildo Ndoj, nga Instituti deri në bulevardin “Nënë Tereza”.



