Policia e Mallakastrës ka vënë në pranga një 54-vjeçar, i dyshuar si autor i një zjarri që shkaktoi djegien e rreth 400 pemëve të ullirit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër ndërhynë pas sinjalizimit për një vatër zjarri në vendin e quajtur "Qafa e Vidhit", ku flakët kishin përfshirë një sipërfaqe me ullinj.
Në vendngjarje mbërritën edhe forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll.
Gjatë veprimeve në terren, efektivët e policisë konstatuan pranë vatrës së zjarrit shtetasin Ardian Xhafo, 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarrin. Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 400 pemë ulliri.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë 54-vjeçarin për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr".
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bën apel qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të rrezikojë jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.



