
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën për shpalljen e vendimit për prokurorin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Edmond Shytko.
Prokurori Edmond Shytko u përball me vetingun më datën 23 shtator 2022 për vlerësimin e tre kritereve, ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe professional, por iu kalua barrë prove për pasurinë dhe profesionalizmin.
Sipas KPK në një analizë përfundimtare, prokurori rezultonte me një bilanc negativ prej 5.4 milion lekësh, që kryesisht ndikohej nga pamundësia për të provuar burimin e ligjshëm të një dhurimi dhe hua të marra nga të afërm.
Prokurori i Korçës, Edmond Shytko u përball edhe me pyetje etike sa i përket një sasie prej 40 mijë dollarësh që ai pretendonte se i kishte fituar nga puna sezonale në SHBA. KPK tha se dypunësimi i tij ishte i ndaluar.
Trupa Gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi,Firdes Shuli, Suela Zhegu pasi analizoi provat dhe faktet vendosi, shkarkim nga detyra të prokurorit, Edmond Shytko.
Edmond Shytko e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Korçë.



