
Policia e Durrësit njofton se ka arrestuar një 39-vjeçar, i cili në Manzë goditi me send të fortë shërbimet e Urgjencës dhe autoambulancën që kishin shkuar për t’i ofruar shërbim mjekësor.
Sipas njoftimit, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte goditur shërbimet e Urgjencës dhe autoambulancën e Spitalit të Durrësit, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë janë nisur për në vendngjarje.
Si rezultat, është arrestuar autori i dyshuar i rastit, shtetasi L. D., 39 vjeç, i cili gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë ka kanosur dhe kundërshtuar punonjësit e Policisë për shkak të detyrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.



