Nëntë persona janë arrestuar të premten në Korçë, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 27 shtetas të huaj. Ndërkohë, një shtetas tjetër është shpallur në kërkim nga policia. Ky i fundit, gjatë ndjekjes së uniformave blu nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, duke kryer manovra të rrezikshme me mjetin e tij, ndërsa ka plagosur dy pasagjerë dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Policia theksoi se të 10-të këta shtetas, kanë ndihmuar persona të huaj, për kalimin e paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit monetar.
Si rezultat i operacionit të policisë u arrestuan:
• K. P., 21 vjeç; L. B., 20 vjeç; F. D., 19 vjeçe, si edhe u shpall në kërkim shtetasi K.D., 21 vjeç, banues në Durrës.
• L. C., 35 vjeç, banues në Prishtinë; N. K., 43 vjeç, banues në Vushtrri, Kosovë; R. K., 29 vjeç, banues në Fushë-Kosovë.
• Si edhe K. M., 21 vjeç; K. L., 19 vjeç dhe K. M., 21 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Në fshatin Çiflig, Korçë, shërbimet e Policisë pasi kanë pasur në ndjekje mjetet tip "Benz" dhe "Citroen", me të cilat shtetasit K. P., L. B., F. D., dhe K. D., në bashkëpunim mes tyre ishin duke transportuar drejt Tiranës kundrejt fitimit 4 shtetas të huaj, i kanë bërë me shenjë drejtuesit të mjetit tip "Citroen" shtetasit K. D., që të ndalonte, por ky i fundit me qëllim shmangien e kapjes nga policia, kreu manovra të rrezikshme duke dalë nga rruga.
Për pasojë janë dëmtuar dy shtetas të huaj, pasagjerë në këtë mjet, të cilët u transportuan në Spitalin e Korçës, ku më pas njëri prej tyre u dërgua në Tiranë për mjekim të specializuar.
Në Maliq, pranë vendit të quajtur "Tyrbja", tre shtetasit kosovarë L. C; N. K., dhe R. K., janë kapur në flagrancë me mjetet tip "Volkswagen Golf" dhe "Volkswagen Sharan", duke transportuar kundrejt fitimit 4 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, të cilëve më pas iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Si edhe në dalje të qytetit të Pogradecit, tre shtetasit nga Tirana K. M; K. L., dhe K. M., janë kapur me mjetet tip "Volksëagen"dhe "Skoda" duke transportuar kundrejt fitimit në drejtim të Tiranës, 19 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.



