
Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen me urgjencë të pesë burgjeve në Shqipëri, duke i konsideruar kushtet e tyre degraduese dhe në shkelje të dinjitetit njerëzor.
Gazetari Besmir Pula, duke iu referuar raportit të publikuar për vitin 2025, tha për “MCN Live” se bëhet fjalë për burgun e Burrelit, Kosovë-Lushnjë, Kukësin, si dhe institucionet “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313).
Sipas raportit, në këto institucione kushtet e trajtimit janë problematike dhe afrohen me standardet e trajtimit degradues.
Avokati i Popullit thekson se problematikat në sistemin penitenciar janë të hershme, por këtë herë kërkohet qartë mbyllja e pesë institucioneve deri në rikonstruktimin e plotë të tyre.
Një nga shqetësimet kryesore mbetet mbipopullimi në burgje.
Raporti evidenton se në burgun e Lezhës kapacitetet janë tejkaluar me 65%, ose 181 të burgosur mbi numrin e parashikuar.
Në shumicën e institucioneve, të burgosurit dhe paraburgosurit detyrohen të mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike për shkak të mungesës së dollapëve.
Po ashtu, mjekët janë të pranishëm vetëm katër orë në ditë, ndërsa spitalet rajonale shpesh refuzojnë trajtimin e të burgosurve për arsye sigurie.
Raporti ngre shqetësim edhe për mungesën e një institucioni të specializuar për personat me probleme të shëndetit mendor, të cilët aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit.
Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka trajtuar 115 raste të paraqitura nga të burgosur dhe familjarët e tyre.
Një tjetër problematikë e evidentuar është përdorimi i lartë i paraburgimit.
Sipas raportit, 56.8% e popullsisë penitenciare janë persona në paraburgim, pra ende të padënuar me vendim të formës së prerë.
Sipas Avokatit të Popullit, kjo cenon parimin e prezumimit të pafajësisë.
Inspektimet kanë zbuluar gjithashtu ambiente të amortizuara, mungesë ajrimi, ndriçimi dhe ngrohjeje, mungesë të produkteve bazë të higjienës, sisteme jofunksionale të ngrohjes dhe ftohjes, si dhe probleme me ushqimin dhe shërbimin shëndetësor.
Avokati i Popullit sugjeron hartimin e një plani të menjëhershëm për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në burgje, ngritjen e një institucioni të specializuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor, si dhe rivlerësimin kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar.



