Banorët e Kalivares, Mesulit dhe Kimzës në Pukë kundërshtuan sërish projektet për ndërtimin e katër hidrocentraleve (HEC) në zonën e tyre. Ata zhvilluan një protestë përpara Bashkisë së Pukës, duke shprehur shqetësimin se këto projekte do të dëmtojnë burimet ujore dhe ekosistemin e një zone me potencial të lartë turistik.
Sipas banorëve, ata nuk janë pyetur dhe nuk janë konsultuar për këto projekte. Ata deklarojnë se kanë depozituar edhe një kallëzim penal në Prokurori, duke pretenduar falsifikim të firmave në dokumentacionin përkatës.
Me protestuesit u takua edhe kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj. Ai u shpreh se lejet për ndërtimin e HEC-eve janë dhënë nga qeveria, por theksoi se bashkia do të jetë në krah të banorëve dhe do të përdorë të gjitha hapësirat ligjore për të kundërshtuar dhe ndaluar zbatimin e këtyre projekteve.
Lejet për ndërtimin e HEC-eve në Pukë janë miratuar që në vitin 2023, por kanë hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2025, pas plotësimit të dokumentacionit nga kompania Be-is SHPK.
Megjithatë, banorët e tre fshatrave shprehen të vendosur për të mos lejuar nisjen e punimeve në terren.



