
Në Kurbin është regjistruar një aksident rrugor, ku janë plagosur tre persona.
Policia e Lezhës ka bërë të ditur se specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedim penal ndaj shtetasit H. H., 70 vjeç, banues në Milot.
Sipas Policisë, automjeti që drejtonte H. H. është përplasur me një automjet tjetër, që drejtohej nga shtetasi P. B., 27 vjeç, banues në Gjermani.
Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar tre pasagjerë në automjetin e drejtuar nga P. B., të cilët janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



