Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi dhe shkëmbim të sigurt të informacioneve ndërmjet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit jo vetëm me Europol-in, por edhe me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit të gjerë dhe nevojës për shkëmbim informacioni të sigurt e të besueshëm ndërmjet strukturave të hetimit, strukturave të ushtrimit të ndjekjes penale dhe strukturave policore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bazuar në marrëveshjen e lidhur ndërmjet Europol dhe Shqipërisë, u nënshkrua sot marrëveshja trepalëshe me objekt: “Dhënia e të drejtës së qasjes në sistemin elektronik “SIENA – Aplikim i Sigurt i Rrjetit të Shkëmbimit të Informacionit”, “EUROPOL””, thuhet në njoftimin për shtyp të SPAK.
Nënshkrimi i Marrëveshjes i mundëson Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit marrjen e qasjes së drejtpërdrejtë në rrjetin ”SIENA”, si një linjë e sigurt komunikimi dhe shkëmbimi informacioni me EUROPOL, në kuadër të thellimit të hetimeve për subjekte që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në kompetencë të SPAK.
Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca shkruan se është e rëndësishme marrëveshja që u nënshkrua sot mes EUROPOL, SPAK dhe Policisë së Shtetit për gjurmimin e grupeve kriminale shqiptare që veprojnë jashtë vendit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Soreca shkruan se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është një prioritet për vendin tonë për tu anëtarësuar në BE.
“Marrëveshja e sotme mes SPAK dhe Policisë së Shtetit për t’u lidhur me Europol. Rrjeti i sigurt i informacionit (SIENA) është një hap i rëndësishëm përpara në bashkëpunimin operacional mes forcave policore të Shqipërisë dhe të Shteteve Anëtare të BE-së. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prioritet kyç për BE-në dhe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit”, shkruan Soreca.
Me nënshkrimin e marrëveshjes, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit bëhen partnerë të rëndësishëm me Europol, duke mundësuar dhënien e aksesit të drejtpërdrejtë në bazën e të dhënave ”Siena”, shkëmbimin e informacionit dhe marrjen e tij në kohë reale, me qëllim rritjen e efektivitetit të hetimeve penale nga SPAK, si dhe me qëllim finalizimin me operacione të përbashkëta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.



