
Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi dyshohet se përplasi me automjet me pasojë vdekjen, një këmbësor 68-vjeçar e më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale të kryera me qëllim përcaktimin e autorësisë së një aksidenti në aksin rrugor “Shkodër-Lezhë”, i cili ndodhi rreth mesnatës dhe pati si pasojë humbjen e jetës së shtetasit M. P., 68 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e qarkullimit rrugor, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit që përplasi shtetasin M. P. (këmbësor), shtetasit K. K., 31 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas, pas aksidentit, ishte larguar nga vendngjarja”, njofton policia.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për rastin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, automjetin tip “Peugeot” me të cilin ndodhi aksidenti.



