GJKKO nuk ka dërguar përfaqësues në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me vendimin për pezullimin e ushtrimit të detyrës së zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në një njoftim për mediat thuhet se “GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.
“Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor”, thuhet në njoftim.
Kushtetuesja po shqyrton sot zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar mes Kryeministrit dhe KM nga njëra anë dhe GJKKO-së nga ana tjetër.



