Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet. Në kuadër të operacionit të koduar “Warehouse”, i organizuar nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, janë arrestuar në flagrancë pesë persona.
Të arrestuarit janë: Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë.
Të gjithë janë banues në Tiranë dhe dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që merrej me përpunimin dhe shpërndarjen e drogës në sasi të vogla, të gatshme për shitje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë në rrugën “Myslym Keta”, në pronësi të shtetasit R. K., e cila shërbente zyrtarisht për prodhimin e paletave të drurit, u gjet një valixhe që përmbante rreth 9 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza të gatshme për tregtim.
Gjaë ndërhyrjes së Policisë, në magazinë u konstatuan shtetasit A. C. dhe E. Gj. Gjatë kontrollit fizik, shtetasi E. Gj. iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. Z., u gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



