Pas orësh të tëra kërkimesh nga ekipet e shpëtimit, forcat speciale, policia dhe familjarët, është gjetur pa jetë 56-vjeçari Pëllumb Toçi, i cili ishte raportuar i zhdukur në zonën e Gjinarit, Elbasan.
Toçi kishte dalë për të kërkuar qenin e tij, por dyshohet se ka rënë në një kanion të thellë në afërsi të fshatit Pashtresh, ku edhe u gjet trupi i tij orët e vona të mbrëmjes.
Policia njoftoi se kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Familjarët kishin kërkuar ndihmë gjatë pasdites, çka aktivizoi një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, ku morën pjesë edhe alpinistë për shkak të terrenit të vështirë.
Pëllumb Toçi ishte banor i fshatit Pashtresh, Njësia Administrative Gjinar.



