
Pas gjashtë muajsh në kërkim, Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona të dyshuar si autorë të vrasjes së 45-vjeçarit Denis Çumani, ngjarje e ndodhur në janar të këtij viti në Shijak.
Në pranga kanë rënë Dorian Ferra, 36 vjeç, dhe Indrit Ferra, 38 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin dhe banues në Shijak.
Sipas Policisë, ndaj tyre është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve, më 27 janar 2026, dy të arrestuarit dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta me Denis Çumanin në qytetin e Shijakut dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, 45-vjeçari ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për dy shtetasit, të cilët ishin shpallur në kërkim pas ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.



