Mungesa e infrastrukturës ka ngritur në protestë banorët e fshatit Fushë-Milot, në Kurbin.
Ata bllokuan për disa minuta rrugën që lidh zonën me superstradën Lezhë–Milot, në shenjë revolte ndaj mungesës së vëmendjes nga institucionet.
Sipas banorëve, segmenti rrugor me gjatësi rreth 2 kilometra është degraduar ndjeshëm dhe është bërë pothuajse i pakalueshëm për shkak të gropave të shumta të krijuara.
Ata fajësojnë qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat transportojnë inerte nga lumi Mat, për gjendjen e rënduar të rrugës.
Kjo rrugë, e cila lidh aksin e vjetër me superstradën, u shërben disa fshatrave të Kurbinit dhe përdoret gjithashtu si rrugë alternative për të lehtësuar trafikun gjatë sezonit veror.
Banorët thonë se gjatë pesë viteve të fundit rruga ka pësuar dëmtime të shumta dhe, pavarësisht ankesave dhe protestave të vazhdueshme, nuk ka pasur ndërhyrje për riparimin dhe mirëmbajtjen e saj.



