Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit si autorë të disa vjedhjeve. Mësohet se të arrestuarit, të moshave 26, 32 dhe 55 vjeç, vepronin si grup dhe mbanin në vëzhgim banesat e biznesmenëve dhe të shtetasve me funksione publike, që t’i kryenin vjedhjet kur nuk kishte njerëz në to.
Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, menjëherë pas denoncimeve të disa qytetarëve, se në banesat e tyre, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, iu kishin vjedhur para dhe sende me vlerë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Metoda”.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit Ilir Sharka, 26 vjeç, Aldi Rama, 32 vjeç dhe Arif Nezha, 55 vjeç, të tre banues në Durrës, pasi rezulton se:
-më datë 05.06.2023, kanë vjedhur në banesën e shtetases V. P. (me detyrë gjyqtare), 3 çanta dhe 3 000 euro;
-më datë 16.10.2022, në banesën e shtetasit N. R., kanë vjedhur 40 000 lekë dhe 2 bizhuteri floriri;
-më datë 21.01.2023, në banesën e shtetases A. L., kanë vjedhur 11 000 euro dhe bizhuteri me vlerë 5000 euro;
-më datë 09.05.2023, në banesën e shtetasit S. A., kanë vjedhur 1 000 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë 200 000 lekë;
-më datë 15.07.2023, në banesën e shtetasit Y. Ç., kanë vjedhur 4000 euro dhe 150 000 lekë;
-më datë 31.08.2023, në banesën e shtetasit E. K., kanë vjedhur 1500 euro;
-më datë 30.09.2023, në banesën e shtetasit A. S., kanë vjedhur 100 000 lekë dhe bizhuteri floriri.
Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



