
Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi është kapur duke fotografuar votën.
Një incident i tillë ka sjellë për një moment ndërprerjen e procesit të votimit në qendrën e Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Tiranë.
Ndërkohë policia bën me dije se punonjësit kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi G. S., 30 vjeç, është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë.
Sipas uniformave blu shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga shërbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme hetimore.
Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.



