Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur një hetim mbi veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të policisë në lidhje me denoncimet e bëra nga banorët e lagjes 15 në Durrës, në zonën e ish-Kënetës.
Sipas pretendimeve të qytetarëve, strukturat policore nuk kanë reaguar në kohë ndaj sinjalizimeve të përsëritura për qarkullimin e automjeteve me shpejtësi të lartë në këtë zonë, pavarësisht shqetësimeve të ngritura më herët.
Hetimet e AMP-së janë ndërmarrë pas aksidentit tragjik të ndodhur mesditën e së dielës, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e reagimit të policisë dhe nëse janë marrë masat e nevojshme parandaluese, pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme nga banorët e zonës.
AMP pritet të verifikojë nëse ka pasur shkelje të detyrës nga efektivët e përfshirë, si dhe nëse janë zbatuar procedurat për trajtimin e ankesave të qytetarëve. Nuk përjashtohet mundësia e përgjegjësive ligjore për personat përgjegjës.
Ndërkohë, një ditë pas aksidentit të rëndë të shkaktuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, drejtoria e Policisë së Durrësit pezulloi nga detyra zinxhirin komandues, deri në përfundim të hetimeve.



