
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë kanë proceduar penalisht një shtetas italian dhe kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme parash të padeklaruara në kufi.
Bëhet me dije se janë sekuestruar 12 mijë e 400 euro dhe 1 milion e 850 mijë e 600 lekë dhe arrestimi i shtetasit italian S. P, 46-vjeç, i cili banonte në Tiranë.
Mësohet se shtetasi i huaj po hynte në Shqipëri me mjetin e tij, tip BMW në momentin që u ndalua dhe iu kontrollua mjeti.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan shumën e të hollave, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
46-vjeçari akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi” dhe po procedohet penalisht në gjendje të lirë.



