Durrësi është përfshirë nga përmbytje të shumta si pasojë e reshjeve intensive të shiut që kanë rënë gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar probleme serioze në disa zona të qytetit.
Korrespondentja Ervina Garo konfirmon për “MCN Live” se përmbytjet kanë prekur edhe Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) të Durrësit, ku ka nisur procesi i evakuimit të të burgosurve, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e brendshme.
Situata e rënduar i ka detyruar qytetarët të tregohen kreativë për të lëvizur në rrugët e përmbytura.
Në pamjet e siguruara nga MCN TV, shihet një qytetar që përdor një dërrasë sërfi dhe një lopatë për të kaluar mes rrugëve të mbuluara nga uji, ndërsa rreth tij automjetet janë të zhytura pothuajse plotësisht.
Për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe përmbytjeve, disa segmente rrugore janë bllokuar në lagjet 12, 13 dhe 17, të cilat konsiderohen ndër më problematiket në qytet.
Përmbytjet kanë prekur edhe Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) të Durrësit, ku ka nisur procesi i evakuimit të të burgosurve, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e brendshme.
Procesi mësimor është pezulluar, ndërsa autoritetet janë në terren për menaxhimin e situatës.
Përmbytjet kanë prekur gjithashtu tre banesa, nga të cilat familjarët janë evakuuar për arsye sigurie.
Durrësi paraqitet si një nga qarqet më të goditura nga moti i keq, ku problematikat lidhen edhe me mosfunksionimin e hidrovoreve dhe infrastrukturën kulluese të qytetit, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për banorët.
Sipas burimeve të MCN TV, Ujësjellësi i Durrësit nuk e ka vënë në funksion hidrovorin gjatë paradites, ndërsa vetëm rreth një orë më parë është bërë ndezja e tij.
Kjo vonesë ka ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e situatës, duke sjellë përmbytje të shumta në disa zona të qytetit të Durrësit.



