Policia e Lezhës ka reaguar pas lajmit për dhunimin e drejtorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë, Edmir Përndreca. Në njoftimin zyrtar, thuhet se ngjarja ka ndodhur në aksin Shënkoll Lezhë, ku automjeti i OSHEE-së që drejtohej nga shtetasi Edmir Përndreca, 43 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë drejtor i OSHEE Lezhë, është goditur nga mbrapa nga një automjet tjetër. Pas goditjes, drejtuesit e automjeteve janë përfshirë në konflikt si dhe dy pasagjerët e automjetit tjetër, të cilët e kanë dhunuar fizikisht drejtorin e OSHEE.
Ky i fundit, ka marrë dëmtime fizike dhe po mjerr ndihmë mjekësore ku aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
“Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë janë angazhuar maksimalisht për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e autorëve për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.



