
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq gjashtë shtetas, të akuzuar për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumentit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Hetimet janë nisur mbi bazën e materialeve të referuara nga Departamenti i Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik dhe Zyrën për Hetimet Kriminale jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Prokurorisë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A.H., në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë shqiptarë, ka organizuar kontrabandimin e personave drejt rajonit të Karaibeve, me qëllim kalimin e mëtejshëm të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundrejt përfitimeve financiare.
Të dhënat tregojnë se ky shtetas u ka kërkuar të paktën tre shqiptarëve që për t’i dërguar në Amerikë dhe Kanada të paguajnë çmimin prej 35.000 dollarësh. Intinerari që ndjek ky shtetas për të kontrabanduar njerëz fillon nga Shqipëria ku rekrutohen dhe më pas nga vendet e Evropës drejt Republikës Domenikane, e prej andej me dokumente false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos duke përdorur dokumente udhëtimi false për në Florida ose në shtete të tjera të ShBA-së.
Nga hetimet, rezultoi e provuar se shtetasi H.M. ka pajisur me dokumenta të falsifikuara disa shtetas shqiptarë për t’u larguar në mënyrë të paligjshme drejt SHBA-së dhe ka konsumuar elementet e veprës penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e provuar në disa raste. Po ashtu nga interceptimet telefonike është provuar se shtetasi H. M., gjatë kohës që është duke u hetuar me masë sigurie “Arrest në burg” nga ambientet e paraburgimit të Fushë-Krujës ka përdorur dy numra të ndryshëm për të komunikuar me familjarët e tij, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” më shumë se një herë.
Nga veprimet e kryera janë mbledhur prova se edhe shtetasja L.M., është e përfshirë në aktivitetin e bashkëshortit të saj me veprime konkrete si në shoqërimin në udhëtimin e tyre për në Republikën Domenikane si dhe duke përfshirë në bashkëpunim edhe vëllain e saj A.P., në marrjen e porosive nëpërmjet linjave të udhëtimit Tropojë -Tiranë. Ajo ka konsumuar veprën penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga këqyrja e të dhënave telefonike, është provuar se shtetasi E.N. i punësuar pranë agjencisë turistike, ka ndihmuar duke i vënë në dispozicion foto të dokumenteve të dy shtetasve të huaj, me qëllim që shtetasi H.M., ky i fundit të mundësojë kalimin e shtetasve të ndryshëm duke përdorur dokumente model. Mënyrë kjo, e përdorur në disa raste nga shtetasi H. M., janë konsumuar elementët e veprës penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Po kështu shtetasi A.P., në bashkëpunim me të afërmit e tij me veprime konkrete ka marrë dokumente të falsifikuara që do të mundësonin kalimin në mënyrë të kundërligjshme të një shtetasi duke konsumuar elementët e veprave penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndërsa shtetasi C.N., duke qenë shofer automjeti ka mundësuar transportin e dokumenteve të falsifikuara duke konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim i dokumentit”.
Shtetasi A.M., duke i vënë në dispozicion të hetuarit H. M., të dhënat e pasaportës/pasaportën e tij Britanike si model për të prodhuar dokumente të tjera të falsifikuara, për të bërë të mundur një mënyrë më të sigurte kalimi për shtetas të tjerë për të ikur në Kanada dhe me këto veprime ka konsumuar elementët e veprës penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi dërgimin në gjyq e të pandehurve: H.M; L.M, A.P, C.N, A.M, dhe E.N.



