
Gjykata ia rikthen edhe njëherë prokurorisë dosjen për Artan Shkëmbin, ish-drejtues në Policinë e Shtetit, i akuzuar për nxjerrje sekreti. Sipas gjykatës, prokuroria duhet të kryejë disa hetime shtesë. Mësohet se organi i akuzës nuk tërhiqet nga kërkesa për ta dërguar në gjyq Shkëmbin. Së shpejti dosja do të plotësohet dhe do të dërgohet sërish në gjykatë për gjykim.
Më shtator të 2020-s, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, GjKKO vendosi të pranojë si të bazuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë “pezullim nga detyra” për Artan Shkëmbin, për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.
Në mars 2021, SPAK konkludoi se nuk qëndronte akuza për korrupsion dhe e delegoi çështjen për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës vetëm për nxjerrjen e të dhënave sekrete.
Shkëmbi dyshohet se ka dekonspiruar informacione të kërkuara nga një agjenci ligjzbatuese e huaj për llogari të një shtetasi me precedentë penalë.



