
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, (KPK) ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Lazër Çardaku.
Ai u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për gjetjet në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, për të cilat pretendoi se kishte kundërshtuar barrat e provës dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Komisioni konstatoi pamundësi financiare të prokurorit të Apelit, Lazër Çardaku në vlerën totale 1.3 milionë lekë si dhe ngriti dyshime për pasuri të fshehura.
Vendimi i sotëm për shkarkim u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatorë Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen.
Lazër Çardaku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Pukës dhe në 1999-ën është emëruar si prokuror në Shkodër. Ai ka drejtuar Prokurorinë e Matit në vitet 2008-2012 dhe më pas e ka ushtruar funksionin si prokuror i shkallës së parë dhe i Apelit.



