Emona Muçi, Gentiana Muçaj dhe Markelian Koça janë tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Emona Muçi rezultoi fituese me 133 vota, kundrejt 92 votave të marra nga Irida Kaçerja.
(11:00) Zgjedhjet në qeverinë e gjyqësorit/ Rusta: Kush janë 3 më të kuotuarit për anëtarë të KLGJ dhe problematikat e parashtruara (VIDEO)
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live bëri me dije se tre kandidatët më të kuotuar në garën për anëtarë të KLGJ-së janë Emona Muçi, Irida Kaçerja dhe gjyqtari Markeljan Koça. Rusta tha se mes problematikave të parashtruara në Asamblenë e sotme ishin vakancat, pagesat e ulëta për gjyqtarët, mbingarkesa në dosje dhe godinat e amortizuara.
Ra në sy konstatimi i problematikave, vakanca të panumërta në sistemin e drejtësisë, pagesat e ulëta për gjyqtarët, mbingarkesa në dosje ku në Apel është më e theksuar, po ashtu godinat e amortizuara ku ushtrojnë funksionin. Mungoi një platformë se si do jetë zgjidhja, gjithësesi folën sa i përket ndryshimeve apo vendimeve që do duhet të marrë KLGJ. Mbetet për t’u theksuar se sa i përket vakancave duhet të mblidhet Parlamenti dhe të bëjë ndryshime ligjore.
Pas pak minutash gjyqtarët do të futen në votim dhe nëpërmjet votimit të fshehtë do përzgjedhin mes kolegëve. Është më e kuotuara deri në këto momente Emona Muçi, Irida Kaçerja dhe gjyqtari Markeljan Koça. Këta përfliten, gjithësesi do jetë votimi i gjyqtarëve që do nxjerrë nga 5 emra, 3 fitues”.
(10:25) Zgjidhen sot 3 anëtarë të KLGJ-së, kush janë kandidatët në garë
Në Asamblenë e Përgjithshme të Gjyqtarëve që mbahet pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, do të zgjidhen këtë të hënë 3 gjyqtarë që do të jenë për 5 vite anëtar të KLGJ-së.
Anëtarëve që iu përfundon mandati në dhjetor janë dy në radhët e Gjykatës së Shkallës së Parë, Marçela Shehu dhe Brikena Ukperaj dhe nga radhët e Apelit largohet Dritan Hallunaj.
Në garë për zëvendësimin e tyre janë 5 gjyqtar, përkatësisht dy nga Gjykatat e Apelit, Emona Muçi dhe Irida Kaçerja dhe 2 nga Shkallët e Para të Jurdiksionit të Përgjithshëm, Alma Kodraliu dhe Gentjana Muçaj, ndërsa Markeljan Koça vjen në garë nga Shkalla e Parë Administrative dhe zgjidhet automatikisht për shkak se është kandidaturë e vetme.



