Policia e Shkodrës ka arrestuar sot Mervis Hysja, 32 vjeç pasi ishte shpallur në kërkim për një ngjarje të trafikut të drogës në vitin 2018, përmes Liqenit të Shkodrës. Në pranga ka rënë dhe shoku i tij, shtetasi Fabian Mezini.
Në vijim të punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Mervis Hysaj, 32 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe.
Si dhe u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale ”Përkrahja e autorit të krimit”, i shtetasit Fabian Mezini 22 vjeç, banues në Kamicë, Malësi Madhe. Shtetasit e lartpërmendur janë kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, duke qarkulluar së bashku në një automjet.
Shtetasi M. H., në vitin 2018, së bashku me shtetasin E. H. (i arrestuar në 2019), në vendin e quajtur “Syri i Kripës”, në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, kanë tentuar të trafikonin nëpërmjet liqenit të Shkodrës, një sasi prej 93 kg bimë narkotike të llojit marijuanë.
Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, për shtetasin Mervis Hysaj u bë ekzekutimi i vendimit të datës 08.05.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.



