Avokati Ibrahim Sako për zbulimin se kompania e Ergys Agasit i përfshirë në hetimin e dosjes “AKSHI”, ka lëshuar fatura fiktive prej 29 milionë eurosh për 9 muaj, thotë se vlera është minimale krahasuar me tenderat e bëra.
Në një intervistë për “MCN Live” ai deklaroi se skandali i AKSHI-t tregon se shteti dhe siguria kanë rënë.
Sako shtoi se për biznesmenin Ergys Agasin, kjo është vetëm një pjesë e dosjes, duke nënvizuar se ka dijeni se është i përfshirë në një dosje tjetër, në dosjen e kontrabandës së cigareve.
Në një shtet ku skandali mbulon skandalin nuk bën përshtypje vlera prej 2.9 milionë euro. Është një vlerë e papërfillshme, krahasuar me vlerën e tenderave të realizuara nga AKSHI, që janë shumë të frikshme. Për një periudhë 7-8 vjeçare, vlera e tenderuar shkon te 800 milionë euro. Në vetvete janë grupe të strukturuara kriminale se këto kompani krijohen për përfitimin e taksave të shqiptarëve. Kompanitë në krye të vitit deklarojnë fitime marramendëse si pasojë e tenderave publikë.
Dokumenti i Gazment Bardhit është thjesht një pikë në oqean. Skandali i AKSHI-t nuk është një skandal i momentit, ky skandal tregon se shteti ka rënë, siguria ka rënë. Se AKSHI grumbullon të dhënat sensitive të një shteti, nga Kadastra te sistemi gjyqësor. Kur këto vihen në dispozicion të personave të paautorizuar, që këtë informacion mund ta keqpërdorin, atëherë rendi dhe siguria janë të rrezikuara. Konsiston vetëm në vjedhjen dhe grumbullimin e parave.
Për Ergys Agasin, kjo është vetëm një pjesë e dosjes. Kam dijeni se është i përfshirë në një dosje tjetër, në dosjen e kontrabandës së cigareve. Duket qartë që përfshirja është e gjerë, nuk konsiston vetëm te këta biznesmenë, se pas tyre qëndron vetë Kryeministri Edi Rama. Kjo është një kambanë alarmi dhe për vetë Edi Ramën, i cili e ka kuptuar qartë se laku është ngushtuar.
Nuk ka për të qenë një çështje shumë zhurmë për asgjë ka për të marrë më qafë shumë persona të krimit të organizuar, kjo çështje ka rrëzuar të gjithë shtetin shqiptar. Me këtë skandal shteti i gjithë ka rënë, ka rënë siguria kombëtare. Ka për të pasur një hetim të thelluar që do të nxjerrë shumë çështje të tjera. Është një çështje voluminoze me mbi 90 mijë faqe materiale dhe prova.



