
Në operacionin e koduar “Offshore”, gjykata e Breshias në Itali urdhëroi arrestimin e 2 pronarëve të kompanive të ndërtimit dhe sekuestrimin e 20 milionë eurove, pasi kishin mashtruar me sigurimet e punëtorëve. Hetimi ka filluar në vitin 2015, kur u zbuluan 9 të dyshuarit, të cilët menaxhonin kompanitë e ndërtimit, ku kishin punësuar më shumë se 3.000 punëtorë.
Ata kishin mashtruar me TVSH-të, në shumën e 14 milionë eurove dhe gjithashtu paraqesnin pagesa të rreme për punonjësit. Por mbi të gjitha ata akuzohen se nuk paguanin kontributet e sigurimeve shoqërore për punonjësit, duke mbajtur për vete një shumë totale prej mbi 23 milionë eurosh.
Në përfundim të hetimit, Gjykata e Breshias ka lëshuar një urdhër arresti për 63-vjeçarin italian me inicialet M. M dhe për shqiptarin 46 vjeç, me inicialet A.D, me banim në Trenzano. Gjykata urdhëroi më tej konfiskimin e të gjitha burimeve financiare prej më shumë se 20 milionë euro, 3 njësi banimi, etj. Paratë e sekuestruara do të paguhen si sigurime shëndetësore për punonjësit.



