Në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, sot do të zhvillohet një protestë në Tiranë.
Protesta është planifikuar të mbahet këtë të martë, më 26 maj, duke filluar nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbej”.
Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, studentët do të marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Sipas organizatorëve, protesta është totalisht apartiake dhe synon të përcjellë një mesazh solidariteti për të drejtat e shqiptarëve dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet pjesëmarrja e studentëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut prej kohësh po protestojnë masivisht, duke kërkuar realizimin e një të drejte që e cilësojnë natyrore dhe kushtetuese: zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.
Pas konfliktit të vitit 2001, Marrëveshja e Ohrit solli ndryshime kushtetuese që garantuan përdorimin e gjuhëve të komuniteteve.
Më pas, ligji për gjuhët, i miratuar në vitin 2018 dhe i zbatuar nga viti 2019, e përcakton shqipen si gjuhë zyrtare në institucionet qendrore dhe në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë.



