
Mijëra qytetarë u mblodhën sot në Sheshi Skënderbej, në ditën e 13-të radhazi të protestave kundër projektit të ndërtimit të një resorti turistik në zonën e Zvërnecit.
Me flamuj kombëtarë në duar dhe pankarta ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrje kundër figurave kryesore të politikës shqiptare, përfshirë sloganin: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protestuesit kërkojnë jo vetëm anulimin e projektit për ndërtimin e resortit në zonën e Zvërnec, por edhe largimin nga politika të kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të opozitës Sali Berisha.
Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar më shumë transparencë për projektet që prekin zonat e mbrojtura dhe rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve publike ndaj interesit qytetar.
Ajo që nisi si një reagim kundër ndërhyrjeve të planifikuara në zonat e mbrojtura është shndërruar në një manifestim më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisjes së viteve të fundit.



