
Policia e Tiranës ka njoftuar se ka arrestuar shtatë persona ndërsa ka shpallur në kërkim gjashtë të tjerë, të cilët akuzohen se kishin krijuar një skemë mashtrimi përmes së cilës i kanë shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 3 milionë euro.
Operacioni policor i koduar “Damage” u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
“Si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
– B. R., 54 vjeç, A. R., 25 vjeç, B. G., 33 vjeç, A. H., 32 vjeç, Xh. S., 24 vjeç, N. M., 34 vjeç dhe A. A. 40 vjeç.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit M. R., 52 vjeç, M. G., 60 vjeç, M. K., E. M., 29 vjeç, S. S., 34 vjeç dhe A. D., 29 vjeç.
Këta shtetas, dyshohet se përmes mashtrimit, kanë krijuar dhe menaxhuar subjekte tregtare fiktive, nëpërmjet të cilave kanë qarkulluar vlera të konsiderueshme parash, të padeklaruara në organet tatimore, duke i shkaktuar kështu shtetit shqiptar, një dëm financiar prej 3 milionë eurosh.



