
Ish-punonjësja e Bankës së Shqipërisë Milena Deraj, është dënuar me pesë vite burg, nën akuzën se ka zhvatur 570 mijë euro përmes mashtrimit. Ky vendim u mor këtë të enjte nga Gjykata e Apelit.
Viktima e parë ka qenë shoqja e saj Elira Shyti, të cilës i ka marrë në total 225 mijë euro me premtimin e investimit në bono thesari.

Fillimisht Shyti i ka dhënë shumën e parë me një transaksion në vlerën e 47 mijë eurove. Transaksionin e dytë e ka realizuar në një bankë tjetër të nivelit të dytë në shumën prej 20 mijë eurosh.
Edhe për rastin e dytë, ku Milena Deraj dyshohet se i ka marrë tre të kërkuarve nga drejtësia 340 mijë euro, ka qenë në mes Elira Shyti. Kjo e fundit ka prezantuar Milena Derajn me Afërdita Ferracakun. Pas njohjes, Deraj i ka thënë se njeh një avokat të mirë që mund të ndihmojë Hasan, Shyqyri dhe Abedin Verracakun .
Sipas Derajt, avokati i ka kërkuar 340 mijë euro, duke i thënë se Prokuroria ka prova të forta për Verracakët në lidhje me masakrën e Velipojës, por pas shumave të parave, mund t’i ndihmojë në gjykim të shkurtuar duke shpëtuar nga burgimi i përjetshëm.
Pasi familja Verracaku ka rënë dakord, janë takuar tre herë me Milena Derajn, ku i kanë dhënë asaj në total 340 mijë euro. Nuk ka kaluar shumë kohë dhe familja Verracaku ka kuptuar se janë mashtruar nga ish-zyrtarja e Bankës së Shqipërisë dhe i kanë dërguar mesazhe kërcënimi duke i thënë që mos të dalë nga Shqipëria as ajo as djali i saj, pa kthyer të gjithë shumën që u kishte marrë.
NJOFTIM PER MEDIA
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, mbi bazën e materialeve kallëzuese të vitit 2023, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Mashtrimit”, ndaj të pandehurës me iniciale M. D, ish punonjëse e Bankës së Shqipërisë, me profesion ekonomiste. E pandehura ka përfituar shumën prej 340.000 Euro, duke mashtruar shtetasin me iniciale A. D etj, duke i marrë përsipër zgjidhjen e çështjes gjyqësore, ndaj disa të pandehurve. Po ashtu dhe shoqes së saj me iniciale E. Sh, i ka marrë shumën prej 250.000 Euro, duke premtuar se këto para do t’i investonte në bono thesari.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi kundër të pandehurës me iniciale M. D, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1088, datë 30.04.2023 ka vendosur:
- Deklarimin fajtore të pandehurës M. D, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 406 te Kodit te Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës se dënimit dhe përfundimisht e pandehura M. D, dënohet me 5 (pese) vite burgim.
- Vuajtja e dënimit do të fillojë nga dita e ndalimit datë 25.05.2023. Dënimi i mbetur do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga e pandehura me iniciale M. D, e cila kërkoi:
- Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
- Deklarimin e të pandehurës të pafajshme.
- Në rast se gjykata e gjen fajtore kërkojmë:
– Deklarimin fajtore të të pandehurës, për veprën penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.
– Aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës në provë.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 13.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 1088, datë 30.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Tiranë, më 13.06.2024
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM



