
Dy persona janë arrestuar në Skrapar si dhe është proceduar penalisht kryetari i fshatit Çorrotat, pasi akuzohen për kultimin të bimëve narkotike si dhe shpërdorim detyre.
Policia njofton se në kuadër të operacionit policor “Dorenja”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit Arjan Paja 41 vjeç dhe Durim Hoxha 36 vjeç, të dy banues në fshatin Çorrotat, Skrapar, pasi nga kontrolli i ushtruar shërbimet e policisë kanë evidentuar në fshatin Çorrotat dhe Romas, Skrapar, bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.
Gjithashtu, në banesën e Durim Hoxhës, u sekuestruan fara të dyshuara cannabis sativa, 1 armë gjahu dhe fishekë.
Njoftimi i plotë i Policisë Skrapar:
Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivimin e bimëve narkotike.
Finalizohet me sukses operacioni policor “Dobrenja”
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas si dhe procedohet penalisht Kryetari i fshatit.
Sekuestrohen fara cannabis, 1 armë gjahu dhe disa fishekë
Shërbimet e Policisë Skrapar në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara si dhe në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, finalizuan operacionin policor “Dobrenja”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit A.P., 41 vjeç dhe D.H., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Çorrotat, Skrapar, pasi nga kontrolli i ushtruar shërbimet e policisë kanë evidentuar në fshatin Çorrotat dhe Romas, Skrapar, bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.
Gjithashtu në banesën e shtetasit D.H., u gjetën dhe sekuestruan fara të dyshuara cannabis sativa, 1 armë gjahu dhe fishekë.
Në vijim të veprimeve hetimore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A.P., 58 vjeç, me detyrë Kryetar i fshatit Çorrotat, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.



