
Dy persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Kosovë si pasojë e infektimit me COVID-19, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ndërkohë që ka apeluar qytetarët të bartin maskat në ambiente të mbyllura.
Përmes një komunikate për media nga IKSHPK-ja është thënë se Kosova është duke shënuar trend të rritjes së rasteve të reja.
Duke bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj COVID-19, IKShPK ka potencuar rëndësinë e vaksinimit kundër virusit.
Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni!
Ju lutemi për kujdes të shtuar ndaj COVID-19! Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia akoma nuk ka mbaruar. COVID-19 në Kosovë shënon trend të rritjes së rasteve të reja, fatkeqësisht sot kemi të regjistruar dy raste fatale të cilët kishin sëmundje shoqëruese.
IKShPK ka treguar edhe simptomat të cilat duhet të shërbejnë si arsye për testim.
IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.
Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, Instituti këshillon qytetarët që të vaksinohen.
IKSHPK-ja njoftoi të hënën se nga 35 të testuar, 12 kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, ndërsa 8 pacientë janë shëruar.



