
Gjykata e Durrësit ka përfunduar gjykimin e “Dosjes 339”, ku 21 komisionerë u akuzuan si të përfshirë në krime zgjedhore në vitin 2017 në Durrës dhe Shijak janë dënuar me heqje lirie. Në përfundim të gjykimit dhe në ulje të dënimit gjykata vendosi: Shpëtim Stafa u dënua me 1 vit e 8 muaj heqje lirie; Elidon Stafa me 2 vjet burg; Ramiz Tuda më 2 vjet burg; Fred Marku me 2 vjet burg; Dalvis Bida me 2 vjet burg; Emiljan Tuda me 2 vjet burg; Redi Hysa me 1 vit e 8 muaj burg; Bashkim Alushi me 2 vjet; Jakup Bregu me 1 vit e 8 muaj burg; Altin Lala me 2 vjet burg; Kujtim Ruci me 2 vjet burg; Zyhra Lala, Qemal Domi me 1 vit heqje lirie; Indrit Bici me 1 vit e 8 muaj burg; Mehdi Lala me 2 vjet burg; Agim Lala me 2 vjet burg; Orjada Lala me 1 vit heqje lirie; Bujar Sula me 2 vjet burg; Qazim Lala me 2 vjet burg; Armelind Zeza, qytetar, i dënuar me 3 vjet burg.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar se këta persona në detyrën e komisionerit kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë.
Përveç dënimit me burg, gjykata e Durrësit ka vendosur edhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet për ish-komisionerët. Ndërkohë për 2 nga 21 komisionerët nën hetim, prokuroria pati pushuar hetimet pas vdekjes.
Hetimet u kryen nga SPAK, që më pas ia kaloi prokurorisë së Durrësit dosjen, dhe sipas tyre rezultoi se në një qendër votimi në Shetel dhe dy në Rubjek të dënuarit kanë lejuar dhe kanë votuar në emër të shtetasve të tjerë, që nuk kanë qenë në Shqipëri ditën e zgjedhjeve.
Prokuroria e Posaçme ka provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 22 persona të cilët nuk kanë qenë në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. I njëjti skenar është zbatuar edhe në dy qendrat e votimit në fshatin Rubjek. Në njërën prej tyre është votuar për 7 persona që nuk kanë qenë në Shqipëri ndërsa në tjetrën për 23 persona, që ishin jashtë vendit ditën e zgjedhjeve.



