
Policia ka asgjësuar 480 bimë kanabisi në fshatrat e Krujës. Kanabisi ishte i kultivuar në fshatrat Kroi i Madh, Mafsheq, Shqezë, Krastë dhe Picragë Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe të komisariateve të tjera në varësi të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", kanë vijuar kontrollet në zonat malore të Krujës, duke përdorur dhe dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Nga këto kontrolle, gjatë fazës së 26-të të megaoperacionit “Territor i pastër”, në territoret e fshatrave Kroi i Madh, Mafsheq, Shqezë, Krastë dhe Picragë, në Krujë, u gjetën të kultivuara 480 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Strukturat hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni i kontrollit të territorit vijon.



