
Policia e qarkut të Korçës, sot ka goditur dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
Janë arrestuar dy shtetas dhe është shpallur në kërkim një tjetër, pasi u kapën duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm.
Shërbimet e policisë kanë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Podgorice, Maliq, shtetasin D. L., duke transportuar me mjetin fugon tip “VW Crafter”, 9 emigrantë të paligjshëm.
Janë arrestuar në flagrancë shtetasit: D. L, 24 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec; B. M., 30 vjeç, banues në Kurdistan, Irak, si edhe u shpall në kërkim shtetasi E. N.
Gjithashtu në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Grabovicë, Pogradec, u kap shtetasi irakian B. M., duke transportuar me mjetin “Mercedes-Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se shtetasi E. N., ishte bashkëpunëtor me 30-vjeçarin B. M., në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.



